Basha-Hahn: Stabiliteti i vendit i rrezikuar

Kryetari i PD, Lulzim Basha njohur dje komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn me situatën daramatike që po kalon vendi
si dhe me kërkesat e opozitës dhe qendrimin e saj për nxjerrjen e vendin nga kriza e thellë.
“Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë nëse ky ligj do të zbatohet në germë, ndërkohë që për zbatimin e “shpirtit” të ligjit nuk ka asnjë shans sepse Edi Rama i ka marrë këta kriminelë dhe i ka transferuar si koordinatorë në Partinë Socialiste. Po i përdor aktualisht për të fituar referendumin e tij brenda partisë dhe ka ndërmend t’i përdorë sigurisht edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Po kështu kërkojmë që ligji për dekriminalizimin të veprojë edhe në ato raste të paparashikuara më parë ku deputetët si Armando Prenga përgjakin me armë të paligjshme qytetarët në dyert e komisariateve dhe pastaj vijnë në Parlament serbes-serbes sikur nuk ka ndodhur asgjë” tha Basha në një prononcim për mediat pas takimit me komisionerin Hahn.
“Për çështjen e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese e shikoni që është një recidivist sepse ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e detyron Parlamentin që të zbatojë Kushtetutën dhe të dërgojë për gjykim të gjitha rastet kur deputetë të mazhorancës supozohen se kanë shkelur Kushtetutën duke marrë e përfituar fonde apo pasuri publike, siç është rasti Kokëdhima që u desh një vit për ta çuar, apo siç janë rastet e Sulit dhe Valentina Leskajt ku mazhoranca refuzon zbatimin e vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pra përsëri e ka sjellë shtetin ligjor në “vdekje klinike”. Ky nuk është rast i vetëm, pasi kemi rastin e parkut të Tiranës njësoj si rasti i bunkerit apo rasti i strehës që ka vënë tek Kryeministria, secili me efekte të ndryshme sigurisht. Ky i parkut është më i dhunshmi sepse në mënyrë arbitrare privon qytetarët nga mijëra metra katrorë gjelbërim” u shpreh kreu i PD.
Ai tha se të tria këto raste nxjerrin në pah natyrën tiranike të një regjimi banditesk, i cili nga njëra anë merr dhe rras në burg njerëzit sepse lyejnë shtëpinë pa leje apo vendosin tjegulla në çatinë që po u bie dhe nga ana tjetër pa leje dhe kundër ligjit ndërton mes parkut pa leje mjedisore, me leje të falsifikuar të Këshillit Kombëtar të Territorit. Pa leje dhe kundër ligjit ndërton bunker në mes të Tiranës.
“Së treti, vijoi Basha, çështja e komisioneve hetimore ku ndonëse u detyruan pas marrëveshjes të pranojnë dy komisionet tona hetimore, kanë bërë gjithçka për t’i sabotuar ato, për të shkurajuar hetimin parlamentar si një instrument të transparencës para qytetarëve shqiptarë: se si vjedh kjo qeveri, se si dhunon kjo qeveri ligjet dhe Kushtetutën, se kush merr paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe pse nuk vë para përgjegjësisë hajdutët në pushtet – duke e tërhequr mazhorancën nga kuorumi nga çdo komisioni hetimor sa herë që ka dëshmi që inkriminojnë Kryeministrin apo ministrat e kësaj qeverie. Dhe duke dhunuar edhe një kusht tjetër të marrëveshjes së 24 dhjetorit 2014, që është aprovimi i rregullave për funksionimin eficient të komisioneve hetimore dhe këtë po kërkojmë ne”.
Basha tha se PD po kërkon që komisionet hetimore të mos mund të bllokohen në mënyrë arbitrare nga mazhoranca.
“Kjo pra, është Shqipëria dy vite më vonë, nuk është asnjë hap përpara në raport me integrimin europian të vendit, është shumë hapa prapa, është në drejtim të një autokracie, një regjimi që shtyp dhe dhunon Kushtetutën, ligjin, të drejtat e qytetarëve.
Që shtyp dhe ushtron dhunë ndaj opozitës parlamentare në Parlament dhe jashtë Parlamentit dhe që përgatitet të prishë zgjedhjet e ardhshme parlamentare si e vetmja rrugë për të mbajtur pushtetin, me anë të të cilit po pasurohen pushtetarët e po varfërohen qytetarët.
Këto janë shqetësimet, të cilat kam patur rastin t’i diskutoj si në takimin kokë më kokë me komisionerin Hahn, por po kështu edhe në takimet me delegacionin dhe që do të ngrihen edhe në dy takimet nga përfaqësuesit tanë në Këshillin Kombëtar të Integrimit dhe në të ashtuquajturin dialog politik për pesë prioritetet.
Kam kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës më parë dhe sot të Bashkimit Europian për të qëndruar fuqimisht për shtetin ligjor, për zbatimin e Kushtetutës, për implementimin pa asnjë ekuivok, pa asnjë negociatë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese si parakusht i rikthimit të çdo premise për dialog politik” tha kreu i PD.
Sa i përket Reformës në Drejtësi, Basha tha se ka garantuar se pala më e interesuar për Reformën në Drejtësi është dhe mbetet opozita dhe që ata që i tremben Reformës në Drejtësi janë ata që duhet të japin llogari për miliona, miliarda euro zhvatje të qytetarëve shqiptarë dhe për lidhjet e tyre me krimin që janë bërë sot për fat të keq skandale famëkeqe jo vetëm në Shqipëri, por anembanë Europës. “Dihet që pushtetarët e Tiranës e kanë të pamundur ta kalojnë ditën pa u shtruar në dreka, darka dhe përfitime me Shullazët, me bandat, me Xibrakët dhe me figura të tjera të krimit, të cilat i konsiderojnë dhe i trajtojnë dhe në fakt janë bashkëqeverisësit e Shqipërisë sot” vijoi Basha.
“Dy vite më parë Parlamenti Europian u investua për të përfunduar një krizë parlamentare që nisi si rezultat i
1. Inkriminimit të Parlamentit, i dhunës në Parlament kundër deputetëve të opozitës nga persona me rekorde kriminale që Edi Rama kishte sjellë aty;
2. Për shkak të moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që është shenja kulmore e degradimit dhe e “vdekjes klinike” të shtetit ligjor;
3. Për shkak të mohimit të së drejtës kushtetuese, e vetmja e drejtë e opozitës për të mbikëqyrur qeverisjen që është ajo e komisioneve hetimore parlamentare, dhe;
4. Për shkak të shkeljes së konsensusit mbi çështje politike siç ishte ligji për nëpunësin civil dhe mosofrimit të mundësisë për konsensus për asnjë çështje të interesit kombëtar nga mazhoranca Rama-Meta.
Sot, dy vite më vonë Shqipëria gjendet në të njëjtën situatë sepse nga njëra anë ligji për dekriminalizimin, i cili u miratua vetëm pas një presioni në minutat e fundit dhe nuk arriti të shmangë kandidimin dhe instalimin e kryetarëve të bashkive me rekorde kriminale si në rastet e Krujës, Kavajës, Kurbinit, Tepelenës apo Këlcyrës përsëri ka mbetur peng i vullnetit politik të Edi Ramës” tha Basha për mediat.

Mazhoranca ka shpallur një gjendje rënie të Republikës

– Z. Basha, cili është qëndrimi i Bashkimit Europian?
Qëndrimin e Bashkimit Europian flet Bashkimi Europian. Qëndrimi i opozitës shqiptare që është po kaq europian, është se pa dekriminalizimin e politikës shqiptare, pa zbatimin jo vetëm në germë, por në shpirt të ligjit të dekriminalizimit, demokracia shqiptare është seriozisht e rrezikuar e bashkë me të edhe stabiliteti i Shqipërisë.

– Z. Basha, a ka bisedime mes palëve lidhur me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, për rrjedhojë hyrjen tuaj në komisionet parlamentare?
Po, ne kemi qenë të hapur që në qoftë se ka ndonjë keqkuptim, se përse duhet zbatuar Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që t’i sqarojmë, ndonëse normalisht keqkuptime të tilla nuk ka dhe nuk mund të ketë. Kushtetuta nuk negociohet, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk negociohen, por zbatohen.
Lojërat e Edi Ramës me Kushtetutën nuk janë të reja. Dy vite më parë ata u detyruan nën presionin e Parlamentit Europian t’i jepnin fund lojës së moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore parlamentare. Tani një orë e më parë duhet t’i japin fund edhe kësaj loje. Por jo vetëm kaq, duhet që sistematikisht të parandalojmë çdo aspiranti për tiran që të luajë me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese në të ardhmen. Qoftë ky Kryeministri aktual, sado t’i ketë ditët në atë karrige dhe çdokush që do të jetë në të ardhmen.
Pra, në mënyrë absolute duhet të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të dy deputetëve, të cilët kanë përfituar njëri 150 milionë lekë të KESH-it, tjetra 1/3 e hekurudhës shqiptare nga Ballshi deri në Vlorë. Po kështu, t’i pritet rruga njëherë e përgjithmonë çdo tentative të mazhorancës për t’i shkuar në mendje moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

– Në gjykimin tuaj 45 minutat që i kaluat kokë me kokë me komisionerin Hahn besoni që do t’u shërbejnë për rifillimin e dialogut për Reformën në Drejtësi?
Dialogun për Reformën në Drejtësi e ka ndaluar mazhoranca. Mazhoranca ka shpallur një gjendje rënie të Republikës, asgjësimit të shtetit ligjor. Pra, nuk është çështje dialogu, nuk është as çështje negociate as me Ëashingtonin, as me Brukselin. Kjo është një çështje “vdekje klinike” e shtetit ligjor në Shqipëri, është një dramë, e cila shpaloset ditë për ditë në çdo fshat e çdo qytet të Shqipërisë, ku nga njëra anë polici, inspektori, krimineli i bërë deputet apo drejtor, vetë Kryeministri i vendit apo ministrat shkelin dhe dhunojnë ligjin duke dhunuar qytetarët. Dhe nga ana tjetër po këta njerëz përfitojnë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën pasuri marramendëse, koncesione, tendera, emërime të paligjshme në dogana, në polici. Pra, kjo është një çështje e një aparteidi ku nga njëra anë qëndrojnë jo thjesht vetëm demokratët, por të gjithë qytetarët shqiptarë dhe nga ana tjetër një grusht njerëzish. Pra, është një oligarki “de facto” dhe kjo nuk mundet me asnjë negociatë, as me 45 minuta kokë më kokë as me komisionerin Hahn dhe as me këdo autoritet tjetër.
Por sot mendoj se komisioneri Hahn ka marrë një pasqyrë të plotë dhe të qartë të gjendjes. Sigurisht ai ka përgjegjësitë e tij para Unionit, para Bashkimit Europian, ka vizionin e tij për të ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët, për të cilën unë i jam jashtëzakonisht mirënjohës si kryetar i opozitës, si kryetar i alternativës që e do Shqipërinë në Europë.
Ndërsa roli im është që të përcaktoj qartë piketat ku PD kërkon të ecë në mënyrë që Shqipëria t’i afrohet dhe jo t’i largohet anëtarësimit në Europë. Dhe këto piketa janë zbatimi i ligjit, zbatimi i Kushtetutës, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe padyshim një Reformë në Drejtësi që krijon mekanizmat për të vënë para përgjegjësisë korrupsionin dhe të korruptuarit në nivele të larta.

– Pra, nuk bëhet fjalë për një dialog të ri, rikthim të dialogut për Reformën në Drejtësi. Pra, nuk keni asnjë lloj sinjali që mund të negociohet?
Kjo nuk është çështje sinjali dhe sinjalistike. Nuk ka gjë më elementare për një vend se Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nga ato fillon ligji, nga këto buron gjithçka tjetër. Ndaj zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i panegociueshëm dhe pa këto e vetmja gjë që zbulohet, del haptazi para çdokujt dhe para atyre që janë shumë të zënë me krizën në Ukrainë, në Siri apo për problemet e brendshme të Bashkimit Europian është fakti se në Tiranë është instaluar një regjim, i cili është gati të përdorë gjithçka për t’i ikur një llogaridhënie para një drejtësie të pavarur, është gati t’i vërë edhe shkelmin e fundit shtetit ligjor duke moszbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

– Z. Basha, kjo do të thotë që ditën e nesërme opozitën do ta shikojmë përsëri të protestojë sërish në Kuvend?
Vendimet e grupit parlamentar janë akoma në fuqi sepse asgjë nuk ka ndryshuar në raport me dhunimet flagrante të demokracisë dhe shtetit ligjor që janë burimi i çdo të keqe në Shqipëri, janë burimi i krizës ekonomike, janë burimi i eksodit të shqiptarëve, janë burimi i papunësisë dhe varfërisë.
E gjitha kjo vjen sepse Edi Rama i ka vënë tritolin shtetit ligjor, demokracisë, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, drejtësisë së pavarur. Ne qëndrojmë pikërisht për këto vlera, Kushtetutën, zgjedhje të lira dhe të ndershme, drejtësi e pavarur dhe e pakapur për t’i vënë para përgjegjësisë politikanët dhe pushtetarët e korruptuar në Shqipëri.