Skandal, Bashkia e Durrësit jep dy herë fonde për të njëjtën rrugë

Bashkia e Durrësit ka dhënë dy herë fonde brenda vitit për rrugën “Pavarësia” në Plazhin e Durrësit. Partia Demokratike në Durrës ka denoncuar këtë rast duke u shprehur se kjo rrugë u ndërtua me nxitim të madh në kohën e fushatës, ndërsa sot, pa kaluar ende një vit po rikualifikohet nënkalimi tek “Ura e Dajlanit”.
“Investimi i vitit 2015 për rrugën ‘Pavarësia’ në plazhin e Durrësit, synonte të sillte realizimin e korsive të biçikletave, gjelbërimit dhe ndriçimin. Rrugë, e cila iu dha për ndërtim me fondet e bashkisë, pra nga taksapaguesit firmës me çmimin më të lartë të ofertës me një fond prej 168 milionë lekësh pa TVSH. E gjithë kjo rrugë u ndërtua në një nxitim të madh në kohën e fushatës zgjedhore lokale, ku dhe u quajt një ndër projektet vizionare të Bashkisë së Durrësit. Sot, gjendemi përpara faktit ku pa kaluar ende viti, po rikualifikohet nënkalimi, rotondo tek Ura e Dajlanit, rikualifikim i cili vjen në një kohë kur sapo është mbyllur një investim”, thuhet në deklaratën e PD-së.
Më tej, në deklaratë thuhet se: “Të realizosh një investim me fondet e buxhetit të shtetit më 2016 do të thotë që minimalisht ky investim duhet të ishte në listën e prioriteteve të Bashkisë për vitin 2015-2016 dhe për më tepër duhet të jetë pjesë e listës së parashikimeve 4-vjeçare për investimet prioritare ku duhej të kalohej dhe në Këshillin Bashkiak. Ky projekt përveçse nuk është një investim prioritar nuk është diskutuar në Këshill Bashkiak dhe me grupet e interesit, kjo sepse nuk mund të jetë kurrsesi prioritet një investim i ri, i cili zhbën atë ekzistues të sapopërfunduar pa e vënë ende në eficiencë. Tabela e punimeve, e cila është një nga elementet e transparencës, paraqet Bashkinë Durrës si investitor, ndërkohë që investitor është buxheti i shtetit dhe Bashkia Durrës është përfituesi. Nuk ka qytetar taksapagues të Durrësit dhe banor apo vizitor të plazhit që të mos revoltohet kur sheh në rrugën e sapopërfunduar një tabelë punimesh për ‘Rikualifikimin e saj’ në një hark kohor që nuk kalon vitin duke prekur ndjeshëm sezonin turistik të vitit 2016 dhe duke u ndërhyrë në një ndërtim të sapopërfunduar. Rikualifikimi i këtij projekti synon të ndërhyjë tek ndriçimi dhe gjelbërimi dy pikat kyçe të projektit të 2015 dhe që ndodhet ende brenda garancisë dhe afateve ligjore”.
Partia Demokratike në Durrës shprehet se do t’i drejtohet drejtësisë për këtë rast, ndërsa i ka bërë thirrje Prokurorisë të verifikojë këtë investim të Bashkisë Durrës.
“Ekzistojnë fakte dhe argumente, të cilat ngarkojnë Bashkinë Durrës me përgjegjësi institucionale, por dhe morale për keqmenaxhimin e territorit nën juridiksionin e saj. Fakte, të cilat Partia Demokratike Durrës do i drejtohet drejtësisë. Kjo Bashki demonstron qartë se nuk ka një vizion për qytetin, pasi projektet ndryshojnë në varësi të klientelës dhe jo interesave të taksapaguesve. Partia Demokratike, Dega Durrës denoncon faktin se kryebashkiaku, nuk po i shërben qytetarëve, të cilët e votuan dhe nuk po punon për interesat afatgjata të qytetit të Durrësit, por synon vetëm të grabisë fondet publike apo dhe buxhetin e shtetit. I bëjmë thirrje Prokurorisë të marrë të gjitha masat për verifikimet e këtij investimi të Bashkisë Durrës”, përfundon deklarata e PD.