Përgjigjja e të riut ndaj Ramës pas shantazhit të studentëve për anëtarësime në parti

Studentë të ekselencës e maturantë në të gjithë vendin, ditët e fundit janë befasuar teksa në email-et e tyre personale, u ka vajtur një ftesë e pazakontë e Kryeministrit Rama për tu anëtarësuar sa më shpejt me Partinë Socialiste. Përmes këtij email-i, Rama shantazhon e u bën presion të rinjve që të anëtarësohen me detyrim në Partinë Socialiste.
Por një i ri, me emrin Mateo nuk i ka kursyer aspak një përgjigje ironike Ramës duke i shkruajtur një email si përgjigje e ftesës së bërë për tu anëtarësuar në PS dhe për tu bërë pjesë e reformave të “gjeneratës tjetër”. Në përgjigjen e tij, Mateo ironizon situatën e sotme dhe mënyrën skandaloze se si po qeverisen sot shqiptarët ndërsa thotë se që të bëhesh pjesë e ekipit ku bëhen “reformat” e vendit duhet të jesh i lidhur me trafikun e drogës, krimin, vjedhjet, korrupsionin e paratë e pista. Këndvështrimi i të riut vijon më tej ndërsa thotë se, notat dhe rezultatet e tij në mësime, nuk përmbushin kushtet e kriteret e qeverisë Rama dhe administratës së tij për tu bërë pjesë por sipas tij duhet të jesh pjesë e botës së krimit e mafies që të mund ti bashkohesh ekipit të Ramës për “reformat e gjeneratës së vjetër”.

Teksti i email-it të Ramës
I dashur Mateo,
Uroj që ky mesazh të të gjejë mirë dhe çdo gjë të shkojë mirë edhe në familjen tënde. Kam dëgjuar për rezultatet e tua aq të mira në shkollë dhe u bë në fakt disa kohë që doja të të shkruaja. Sepse dua të të shpreh respektin për dallimin që ti bën në komunitetin e shkollës tënde, po dhe për të të pyetur:
A ke dëshirë të përfshihesh edhe në aktivizmin qytetar përmes politikës, duke u bashkuar me mua për të çuar përpara reformat për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër? Nëse po, e mirëpres me padurim përgjigjen tënde për të përcaktuar pastaj vendin e kohën kur mund të takohemi së bashku me të tjerë bashkëmoshatarë të tutë, të cilët njësoj si ti bëjnë dallim aty ku shkollohen. Por edhe nëse s’ke një “Po!” të menjëhershme, po je i dyzuar apo i paqartë për sa lexove, më shkruaj pa asnjë ngurrim.
Le të mbetemi sidoqoftë në kontakt dhe mbi të gjitha, edhe një herë përgëzime me respekt për gjithçka ke arritur në shkollë. Faleminderit për leximin e këtij mesazhi miqësor dhe shumë të fala e shëndet në shtëpi.
Përqafime,
Edi Rama

Përgjigjia e Mateos
I dashur Edi,
E shoh që të kam lënë dy ditë duke pritur para kompjuterit me zemër në dorë. Më fal, po s’ka internet në shtëpi vëllai. As Iphone. Mezi gjej lekët për internet kafe.
Gjithsesi e lexova e-mail-in dhe kam përshtypjen se e ke nisur e-mail-in në adresën e gabuar.
Unë jam Mateoja që është nxënës i mirë, ai që i ka notat e mira. Është Mateoja tjetër ai që të duhet ty. Ai që zihet dhe përfundon në komisariat 2 herë në javë, çdo javë. Ai mund t’i çojë reformat përpara bashkë me ty. Unë s’të duhem për asgjë. Jam thjesht një nxënës i mirë, që marr ca nota të mira dhe që në fund do të përfundoj kamerier me diplomë. S’bëj dot reforma unë ashtu siç i do ti. Se ty për reformat të duhet një si Ilir Beqaj apo Arben Ahmetaj, domethënë duhet një çun i shkathët. Po edhe deputet nuk bëhem dot se s’kam cilësitë e duhura, e ke parasysh?
Unë Italinë, Holandën, Belgjikën i njoh vetëm në hartë. Dhe “miellin” e di akoma se është produkt ushqimor. Unë edhe një herë që isha aplikant i vetëm tek Zyra e Punës për duartrokitës Kongresi, më thanë që kisha dalë i dyti. Se s’kisha eksperiencat e duhura, s’kisha qenë asnjëherë në fushatë. Kështu që më ler mua dhe merr atë Mateon tjetër. Se ai e di mirë ku bie Italia, Holanda, Belgjika. Di ça është mielli, ça është bari, si zbërthehet “vegla”, si vidhet një bankë, si i shpëtohet shtetit që mos të kapi kur vjedh. Ai është tamam çun i shkathët. Bën fiks për atë punë që të duhen ty… për reformat e gjeneratës tjetër. Unë do të mbaroj shkollën dhe, shpresoj ishalla deri atëherë t’ju jetë rritur çik rroga kamerierëve dhe do të filloj kamerier. Po s’iu është rritur rroga kamerierëve, do ta provoj një herë në call center. Po s’doli gjë as aty, me këto cilësi që kam unë dhe me 10¬-at që kam në diplomë, i bie që të mbetem pa punë. Kështu që do të provoj një herë fatin në Gjermani.
Se aty kam dhe babain dhe vëllain e madh. Se që ta dish ti, ne na ndjek budallalliku si familje. Dhe ata kanë qenë budallenj si puna ime, lexuan gjithë jetën, morën 10¬-a në shkollë dhe në fund përfunduan në kamp refugjatësh në Gjermani. Edhe unë do t’i ndjek pas. Kështu, kështu Edo. Po të duhet adresa e atij Mateos tjetër, më thuaj të ta nis. Ai nuk të vonon shumë me përgjigjet se ka Iphone 7S. Përgjigjet menjëherë. Më shkruaj po të duhet.
Të fala,
Mateo.