Luis Enrique rinovon me Barcelonën?

Me Luis Enriquen edhe pas vitit 2017-të. Te Barcelona nuk dëshirojnë të privohen nga trajneri i tyre dhe po punojnë që t’i rinovojnë edhe për disa sezone të tjera kontratën, 45-vjeçarit nga Gijoni që në vetëm pak kohë ka arritur suksese të mëdha nën drejtimin e Barcës. Kontrata aktuale e Luis Enriques me klubin blaugrana skadon në verën e vitit 2017-të, por te Barcelona as që e mendojnë largimin e asturianit dhe janë gati ta blindojnë atë. Për të kuptuar që drejtuesit katalanas duan të zgjasin marrëveshjen aktuale me Luis Enriquen ka mjaftuar një deklaratë, e numrit 2 të Barcës, Jordi Mestre, i cili në një intervistë për mediat spanjolle u shpreh se klubi ka në plan t’i ofrojë rinvovimin Luis Enriques, që sezonin e kaluar fitoi plot 5 trofe me Barcelonën.
Edhe në këtë sezon me ish-trajnerin e Romës dhe Celta Vigos në drejtim, blaugranat po ecin me hapa të frikshëm, pasi përveçse kryesojnë La Liga me 9 pikë avantazh ndaj Atleticos ndjekëse, kanë siguruar edhe pjesëmarrjen në çerekfinalet e Champions League dhe finalen e Kupës së Mbretit. Në fakt konfirmimi i Luis Enriques edhe për sezonet që do të vinë nuk ishte vendosur asnjëherë në diskutim, dhe rinovimi i trajnerit spanjoll me Barcelonën është vetëm çështje kohe.
Ndërkohë, Riyad Mahrez, është lojtari që i nevojitet Barcelonës. Nëse Leicester City i Claudio Rainieri-it po shkëlqen në Premier League, përveç Jamie Vardy-it, merita të jashtëzakonshme ka edhe futbollisti i përfaqësues algjeriane, që sëfundmi po përflitet si një përforcim i mundshëm i Barcelonës. Me 16 gola dhe 10 asiste në 30 ndeshje të kampionatit anglez, Mahrez është padiskutim vlera e shtuar e Dhelprave siç njihet ndryshe klubi i Leicester-it. Për tia sugjeruar 25-vjeçarin e lindur në Francë drejtuesve katalanas, ka menduar një legjendë e Barcelonës si Xavi Hernandez, i cili në një intervistë nga Katari i largët ka nënvizuar se Mahrez do t’i bënte shumë punë skuadrës blaugrana.
36-vjeçari spanjoll aktualisht pjesë e skuadrës së Al Saad është shprehur se nuk e kishte ndjekur më parë me vëmendje të madhe lojtarin e përfaqësueses algjeriane por sëfundmi ka mbetur i mahnitur nga paraqitjet e tij dhe nga ecuria e skuadrës së Ranieri-it. “Mahrez është një futbollist shumë i fortë deklaroi Xavi. Me atë që po bën për klubin e tij aktual, ai po tregon që është një lojtar i madh. Riyad mund të luajë shumë mirë edhe te klub i madh si Barcelona”. Me këtë fjalë vlerësuese ish- mesfushori i Barcës përfundoi deklaratat e tij në lidhje me Mahrez. Kur këshillat vijnë nga një futbollist si Xavi Hernandez ato duhet marrë në konsideratë.