Si u shtrembërua skema e kompensimit të TVSH-së prej 20% në bujqësi

Skemat e subvencionit në bujqësi të orientuara në mbulimin e kostos dhe jo në rritjen e zinxhirit të vlerës, i kanë nxjerrë nga shinat fondet publike që shkojnë në mbështetje të Bujqësisë. Të papërfshira në monitorim dhe pa marrë në konsideratë elementë të eficiencës subvencionet për bujqësinë, në vend që të rrisin produktivitetin në sektor, po shkojnë si fonde të falura për mbulimin e kostos. Kjo praktikë tashmë e dështuar edhe në Bashkimin Europian nuk i shkon më për shtat nevojave të zhvillimit të bujqësisë shqiptare. Ish-zv/ministri i Bujqësisë, Alban Zusi, thotë se subvencioni duhet të orientohet nga rritja e vlerës. Fondet nuk duhet të falen, sipas skemës aktuale, por të kthehen në investime dhe përfituesit pas një periudhe 5-vjeçare të japin “llogari” se sa këto fonde i janë kthyer mbrapsht shtetit përmes pagimit të taksave, apo sa ato kanë ndikuar në punësimin dhe shtimin e të ardhurave. Për të realizuar këtë, Ministria e Bujqësisë duhet të ngrejë një sistem monitorimi për subvencionet dhe të vërë disa kushte. Psh, duhet të financohet një aktivitet që ka mundësi të shlyejë subvencionin në pesë vitet e para nëpërmjet taksave. Përfshirja në proces monitorimi i elementëve të eficencës mund të bëjë më të dobishme skemën sugjeron Zusi. Ismail Beka, nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), i cili ka koordinuar edhe fondet e IPA për subvencionet në bujqësi, mendon se skema aktuale e trajton bujqësinë si biznes dhe jo si nxitje e prodhimit. Skema e kompensimit në pikat e grumbullimit po rezulton spekulative thotë Beka, ku përfituesit më të mëdhenj janë bizneset që merren me bujqësinë dhe jo prodhimin në ferma. Po krijohet ideja e bujqësisë së industrializuar, ndërkohë që bujqësia shqiptare është e bazuar te fermat shumë të vogla, thotë Beka, një ekspert i njohur i bujqësisë. Shpeshherë përdoret argumenti: ne do të mbështesim bujqësinë e tregut dhe jo bujqësinë sociale. Por nuk ka një instrument tjetër se kush do ta mbështesë bujqësinë e vogël, tha Beka. Ilir Mile, zv/presidenti i Shoqatës së Fermerëve “Rrupaj”, pohoi se skema e subvencionit nuk po funksionon. Përgjithësisht, tarifat e korrupsionit për të përfituar nga skemat mbështetëse kanë qenë të larta dhe zënë deri në 30% të vlerës së grantit – pohojnë fermerët në zonat e Lushnjës.

Si u deformua skema e kompensimit të TVSH-së
Në kuadër të Paketës së Bujqësisë është parashikuar si një ndër masat më të rëndësishme njohja e TVSH-së të produkteve bujqësore 20% (në rritje nga 6% që ishte më parë) për grumbulluesit, përpunuesit dhe tregtuesit. Kjo masë, përveçse e bazuar, ishte e imponuar për shkak se produktet bujqësore vendase efektivisht ishin të përjashtuara nga tregtimi formal në vend, krahasimisht me ato të importit, pasi në tregun formal dilnin me një kosto shtesë prej 14% krahasimisht me ato të importit, sepse TVSH e rimbursueshme iu njihej vetëm 6%. Por në një korrespodencë ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Financave gjatë vitit që shkoi del në pah se, zbatimi i kësaj mase në terren duhej shoqëruar me një proçes monitorimi të vazhdueshëm për të mbrojtur skemën nga abuzivizmi me fatura të fryra apo transferimi i kostove të formalizimit tek fermeri fundor. Ministria e Bujqësisë në një letër dërguar Ministrisë së Financave lajmëron se, eksportuesit po abuzojnë në masë, pasi do iu kreditohet TVSH e autofaturuar, tashmë në masën prej 20%, pra iu lind e drejta dhe kanë kërkuar që t’iu rimbursohet nga organi tatimor. Vlera totale e këtij pretendimi është disa miliona euro. Ministria e Bujqësisë vë në dukje se në paketën e Bujqësisë për 2016 nuk kishin parashikuar rimbursim të TVSH-së për produktet e eksportuara, pasi këto produkte janë të përjashtuara nga TVSH-ja në shitje dhe rrjedhimisht nuk paraqesin problematikën që kanë produktet shqiptare për t’u tregtuar brenda vendit në tregje formale. Por, Ministria e Financave nuk e ka pranuar këtë propozim me argumentin se “e drejta e rimbursimit të TVSH në eksport është parim i pandryshueshëm i funksionimit të tatimit mbi vlerën e shtuar, për këtë arsye nuk shprehemi dakort me propozimin”. Në propozimin e Ministrisë së Bujqësisë thuhej se, masa e njohjes së TVSH së autofaturuar në 20% kishte të vetmin qëllim që të hiqte barrierat për shitjet e produkteve bujqësore brenda vendit. Eksporti i produkteve bujqësore, në rastin konkret fruta perime, po ndodh suksesshëm jashtë dhe pavarësisht këtij rimbursimi, që në fakt është subvencion, dhe është tashmë një trend i konsoliduar e në rritje i filluar 5–6 vite më parë. Ministria e Bujqësisë ka sqaruar se rimbursimi i TVSH së autofaturuar nuk është kryer as më parë dhe as nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e kërkesave të eksportuesve (pra, plan biznesi i tyre nuk bazohej në asnjë pritshmëri për këtë rimbursim). Dikasteri i i Bujqësisë nuk ka vënë në diskutim nëse duhet apo jo të rimbursohet TVSH për eksportet, por çështja në diskutim është pikërisht për TVSH virtuale të ashtuquajtur të “autofaturuar”, që në fakt është e dhuruar nga qeveria për të hapur tregun vendas për fermerët shqiptarë!

Shembulli, subvencioni si nxitje për tregun vendas
1 kg domate, shitet nga fermeri 50 lekë. Kostoja e prodhimit për fermerin është 25 lekë, nga e cila vlera e inputeve është 15 lekë, kurse pjesa tjetër shërbime dhe punëtori pra TVSH e mbledhur del 20% e 15 lekë = 3 lekë, ndërsa tregtari blen me vlerën 50 lekë dhe e kontabilizon me vlerën 60 lekë, nga të cilat 10 lekë llogaritet TVSH 20% e vlerës së plotë prej 50 lekë kg i domates. Në rastet kur produkti shitet brenda vendit diferenca prej 7 lekësh e TVSH reale me atë të autofaturuar do të duhej të paguhej nga fermeri. Pikërisht këtu qëndron mbështetja e masës së ndërmarrë që në kushtet e informalitetit të plotë, qeveria heq dorë nga mbledhja e kësaj TVSH për të realizuar tre objektiva të rëndësishëm: hapjen e tregut vendas (supermarkete, tendera publik, industri përpunuese etj.) për prodhimin e fermerëve, heqjen e barrierave për formalizim (tashmë tregtari paguan vetëm tatim mbi vlerën e shtuar prej tij e jo edhe mbi vlerën e krijuar nga fermeri), mbledhjen e TVSH dhe detyrimeve të tjera në segmentin “qendër grumbullimi–konsumator vendas”.

Shembulli, subvencioni si spekulim me eksportin
Krejt ndryshe sillet kjo skemë në rastin e eksporteve, ku kemi të bëjmë me një treg 100% formal. Mbi bazën e interpretimit të Ministrisë së Financave, sipas shembullit të mësipërm eksportuesit duhet t’i rimbursohet 10 lekë TVSH, kur në fakt nga proçesi i prodhimit realisht janë paguar vetëm 3 lekë TVSH! Kjo qasje (e rimbursimit të 10 lekëve kur për prodhimin janë kredituar/paguar vetëm 3 lekë TVSH) është e panevojshme, e paarsyeshme, deformuese për tregun, në kundërshtim me marrëveshjet e tregtisë së lirë, tepër rënduese për buxhetin e shtetit, sqaron Ministria e Bujqësisë në shkresën dërguar Ministrisë së Financave.
Interpretimi se duhet rimbursuar TVSH e autofaturuar për eksportet, përveçse një deformim i pastër i parimeve është një gur i madh pengues dhe frenues për formalizimin e prodhimit bujqësor, argumenton Ministria e Bujqësisë. Pas analizës, Ministria e Bujqësisë vlerësoi se është e domosdoshme që ekspertët e Ministrisë së Financave të realizojnë ndërhyrjet e nevojshme për të eliminuar pagesat e padrejta që buxheti i shtetit jep në këtë formë.

Qeveria e dyzuar
Abuzimet në pikat e grumbullimit, duke faturuar vlera më të larta te fermerët për të përfituar nga kompensimi i fondeve qeveritare e kanë dyzuar Ministrinë e Financave për të mbajtur apo jo të njëjtën skemë edhe për vitet në vijim. Në momentet e fundit, pasi është hartuar Paketa Fiskale 2016, qeveria ka hequr dorë nga një nismë për reduktimin e kompensimit të TVSH nga 20 në 6%. Vendimi për të mbajtur ende skemën ka qenë i minutës së fundit, saqë qeveria nuk ka arritur të korrigjojë relacionin që ka shoqëruar buxhetin 2016 në Kuvend, ku propozohej që kompensimi i TVSH të ulej në nivelin 6%. Zv/ministrja e Financave, Irena Beqiraj, ka pranuar se skema aktuale ka pasur elementë spekulimi, por sipas saj nuk ka një zgjidhje më të mirë se kjo për të gjeneruar tregje të reja për prodhimet bujqësore. Financimi i drejtpërdrejtë i fermerit, pa i garantuar atij një treg, nuk krijon zhvillimin e qëndrueshëm të zinxhirit bujqësor, shpjegoi Beqiraj. Zv/ministrja pohoi se, qeveria ka qenë në dilemë që të mbajë skemën e kompensimit të TVSH-së në mënyrën se si është, por pas shumë debatesh është lënë në fuqi varianti aktual, pasi me gjithë spekulimet që mund të ketë, është e vetmja që krijon një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit.
Skema
Qysh me ardhjen në pushtet, të majtët rikonceptuan politikat për bujqësinë, në themel të të cilave është përfshirja e sektorit në sistemin fiskal, duke kushtëzuar edhe subvencionet vetëm kundrejt pagesave me faturë. Kështu politika e subvencionit ndryshoi kryekëput, duke kaluar nga mbështetja me fonde e prodhimit në subvencionimin e çmimit në momentin e shitjes së prodhimeve në pikat e grumbullimit. Por duke qenë se kjo lloj skeme u manipulua për një vit, Ministria e Financave vendosi të kreditojë TVSH për tregtarët që kryejnë blerje te fermerët, nëse këto i kishin kryer blerjet nëpërmjet bankave. Me këtë skemë, tregtarët autofaturojnë çmimin e blerjes plus 20% TVSH, e cila u është paguar fermerëve shtesë mbi çmimin. Këtë vlerë, tregtarët më pas e marrin nga buxheti i shtetit kundrejt paraqitjes së faturave. Por duket se kjo skemë e komplikuar për fermerët dhe e pakonsultuar paraprakisht nuk ka ngjitur. Pasi sektori punon gjerësisht në cash, bankat nuk kanë degë në zonat rurale dhe për më tepër kultura financiare e fermerëve shqiptarë nuk është në atë pikë sa të aplikojë pagesën me bankë, bie fjala për 5 arka domate. Ilir Mile, zv/presidenti i Shoqatës së Fermerëve “Rrupaj”, pohoi se skema e subvencionit nuk po funksionon. Realiteti tregon se, fondet me pikatore të hallakatura në më shumë se 20 skema duket se e vështirësojnë zbritjen e fondeve nga donatorët në terren, atje poshtë te bujqit.