Policia tentoi të arrestonte edhe protestuesit e plagosur rëndë

Policia ka tentuar të shoqërojë protestuesit edhe pse ndodheshin në ambulancë dhe paraqisnin probleme shëndetësore. Deputetja demokrate, Albana Vokshi publikoi një foto në të cilën dëshmohej se si dy protestues që po merrnin ndihmë mjekësore të ambulancë po tërhiqeshin nga policia me qëllim shoqërimin e tyre në komisariat.
“Burrëri?? Kjo është ambulancë e Urgjencës së Tiranës, dy qytetarë pa ndjenja (Behari dhe Tonini). Brenda ambulancës, gjashtë policë që me urdhër të Ramës donin t’i shoqëronin edhe ashtu pa ndjenja në Komisariat. I shoqërova Beharin dhe Toninin në QSUT për të marrë ndihmën mjekësore… por pas largimit tim, QSUT u rrethua me policë të cilët e hoqën Beharin nga mjekimi dhe e shoqëruan në Komisariatin Nr. 4”, tha Vokshi. Deputeti i Partisë Demokratike, Alban Zeneli deklaroi dje se ajo që po ndodh në Tiranë është e paprecedent, duke akuzuar policinë për dhunë. Ai deklaroi se njerëz të veshur me uniformë policie dhunojnë qytetarë të Tiranës. “Ajo që po ndodh përpara Drejtorisë së Policisë në Tiranë është e paprecedent në një vend normal.
Kryetari Basha ka ardhur këtu për të kërkuar informacion. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ajo që ndodh në Tiranë është e papranueshme në një vend si ne. Ligji i të fortit mbizotëron këtu. Ajo që ndodhi në lokal ishte dhunë e njerëzve me uniformë. Ne nuk i dimë se kë kanë shoqëruar dhe ku janë ata. Bandat me uniformë policie, vrasin, grabisin dhe dhunojnë qytetarët”, tha deputeti demokrat. Ai mohoi që deputeti demokrat, Gent Strazimiri të ketë pasur armë me vete gjatë protestës. “Nuk e besoj të ketë pasur. Ne si deputetë jemi atje për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve për të protestuar të lirë. Ai vend i përket qytetarëve të Tiranës. Policia po shkel. Unë kam parë me sytë e mi veprime të Policisë Bashkiake të marrin zvarrë qytetarë të lirë. Kjo është e papranueshme”. Sekretari organizativ i PD, Enno Bozdo tha se policia me urdhër të Kryeministrit Rama ka ushtruar dhunë dhe ka keqtrajtuar qytetarët e Tiranës. Ai tha se nga njëra anë Bashkia po ndërton pa leje, ndërsa qytetarët burgosen për një tullë.
“Denoncojmë dhunën e paskrupullt dhe keqtrajtimin politik që policia me urdhër të Edi Ramës po bën ndaj qytetarëve të Tiranës. Ndërtimi atje është konfirmuar që së paku 2 javët e para ka qenë pa leje ndërtimi dhe pa leje mjedisore. Ata që e kanë masakruar Parkun e Tiranës janë ata shkaktarët e vërtetë të revoltës së qytetarëve të Tiranës, kur shohin se u prishet hapësira e vetme. Në fund të këtij ndërtimi nuk do të ketë më park, por disa pemë”, tha Bozdo.