Pogba 100 milionë

Paul Pogba për Juventusin vlen më shumë se 100 milionë euro, dhe të gjitha skuadrat e interesuara për të nëse dëshirojnë të firmosin me mesfushorin francez, duhet të përgatisin një ofertë më të lartë, pasi vetëm kështu mund të bindin klubin bardhezi të lejojë largimin e lojtarit. Mediat italiane kanë zbuluar një prapaskenë me të vërtetë interesante përsa i përket të ardhmes së futbollistit 23-vjeçar. Verën e kaluar, Chelsea u vendosi në pjatë kampionëve të Italisë mbi 90 milionë euro për kartonin e Pogba, por drejtuesit e Juventusit e refuzuan ofertën që kapte shifrën e 95 milionë eurove, duke vendosur ta mbajnë në skuadër mesfushorin francez.
Jose Mourinho, në atë periudhë nën drejtimin e Bluve të Londrës, e dëshironte me çdo kusht lojtarin në “Stamford  Bridge”, por drejtuesit e Chelsea-it nuk arritën dot ta vendosnin në dispozicion të portugezit 23-vjeçarin. Një sinjal mëse i qartë ky nga Zonja e Vjetër me Juventusin që kërkon mbi 100 milionë euro për Paul Pogba. Mbetet për t’u parë nëse drejtuesit bardhezi do ta mbajnë në skuadër lojtarin e përfaqësues së Gjelave edhe gjatë sezonit të ardhshëm apo do të dorëzohen ndaj ndonjë oferte më të lartë se 95 milionë euro që mund të vijë në drejtim të tyre për shërbimet e lojtarit. Paul Pogba pëlqehet nga disa prej klubeve më të mëdha të Europës, ku spikasin Reali i Madridit, Barcelona, Manchester City dhe Chelsea.
Në fund do të bëhet. Massimiliano Alegri do të rinovojë shpejt kontratën e tij me Juventusin edhe për dy sezone të tjera, (deri në 2018 me opsion për 2019, me një pagë prej 5 milionë eurosh në vit, më e larta kjo për Serinë A), dhe po mendon që tani për skuadrën e sezonit tjetër. Bashkë me firmën në kontratë do të përcaktohet dhe e ardhmja e afërt e Juventusit, pasi trajneri dhe klubi janë dakord se skuadra duhet përforcuar, mbi të gjitha për të synuar më shumë në Europë.
Në ditët e para të javës së ardhshme, Marotta dhe Alegri do të takohen për të diskutuar mbi të gjitha për merkaton. Tekniku ka një kërkesë mbi gjithë për të tjerat, një trekuartist, atë lojtar cilësor që i shërben Zonjës së Vjetër për të bërë hapin cilësor në Champions. Për momentin mungon, pasi Hernanes nuk ka bindur në atë rol. Emri më i kuotuar është ai i Henrikh Mkhitarian, fantazistit armen 27-vjeçar të Borusias së Dortmundit. Kontrata e tij skadon në 2017 dhe agjenti i tij është Mino Raiola, madje së fundmi ka shfaqur edhe pëlqimin e tij për Juventusin. Çmimi fillon nga 28 milionë euro e sipër.
Dy emrat e tjerë janë dy lojtarë që po hasin vështirësi në La Liga dhe Premier Legue. Isco, 23- vjeçari spanjoll që ka prishur raportin me Zidane dhe Realin e Madridit, kontrata i skadon në 2018, kushton mbi 30 milionë euro, ndërsa klauzola e tij është plot 150 milionë, si dhe Oscar, braziliani 24-vjeçar i Chelseat që është pranë divorcit me blutë për shkak të raportit të keq me Hiddink, edhe pse kontrata i skadon në 2019 dhe ashtu si dhe Isco nuk mund të blihet për më pak se 30 milionë euro.