Shqipëria humb 2-1 me Austrinë

Shqipëria humbi 2-1 miqësoren me Austrinë, me Lenjanin që shënoi të parin gol në ndeshjet e kuqezinjve të luajtura në Vjenë. Shqipëria zhvilloi një 90 minutësh me dy fytyra përballë një prej kombëtareve më të mira në Europë për momentin, duke shfaqur probleme në mbrojtje në 45 minutat e para, që mund të kthehen në problem në një kompeticion të rëndësishëm, por duke treguar karakter në pjesën e dytë e mbi të gjitha forcë reagimi në një situatë përballë së cilës mund të gjendemi dhe në Europian. Në Vjenë kuqezinjtë veshën për herë të parë dhe fanellat e reja, në një ndeshje ku nuk ishin aspak të vetmuar dhe kjo u kuptua dhe në momentin e këndimit të Himnit, kur pas tyre qëndronte një mur i madh shqiptarësh, zëri i të cilëve kumboi madje në “Ernst Happel”.
Sa i përket formacionit, De Biasi luajti me rreshtimin 4-5-1, ku spikasnin, Kaçe e Lila titullar, por dhe Mavraj, që rikthehej pas plot një viti me Kombëtaren pas një mungese të gjatë, gjë që u ndje sidomos në minutat e para, ku austriakët hapën disa herë në qendër mbrojtjen tonë përpara se të shënonin në të 6-ën pikërisht me Jankon, që shfrytëzoi një gabim në vendosje në mbrojtje të tanëve. Goli nuk uli ritmin e austriakëve që në të 9-ën rrezikuan sërish me Jankon, ndërsa 3 minuta më pas provoi Mavraj në krahun tjetër me kokë, por jo saktë. Në të 13-ën, një top i gjatë i portierit Almer, shërbeu si asist për Harnik pas një gabimi të Mavrajt, që nuk vuri re lojtarin vendas, duke e lënë këtë të fundit të vraponte i vetëm drejt portës për golin e 2-0. Në disavantazhin 0-2 Shqipëria u gjet përpara një situate që duhet të tregonte se si do të sillej nëse do t’i ndodhte diçka e ngjashme dhe në Europian dhe kuqezinjtë u përpoqën të ndryshonin ritmin me Austrinë që u tërhoq paksa. Në të 22-ën Balaj provoi me kokë, por Almer priti, ndërsa 2 minuta më pas Lenjani lëshoi një goditje të fortë, por jashtë kuadratit.
Gjithsesi loja ishte paksa e ngadaltë nga ana e kuqezinjve dhe qëndrimi i De Biasit, që ishte zhytur në stol dukej sikur e konfirmonte. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0 për vendasit pasojë dhe e gabimeve në mbrojtjte të Shqipërisë. Pjesa e dytë nisi me ndryshime te Shqipëria, me De Biasin që hodhi në fushë Roshin e Cikalleshin për Lilën e Balajn. Lëvizje që dha efekte, pasi pas vetëm 2 minutash, Cikalleshi shërbeu për Lenjain, që shkurtoi diferencën me një silur në portë, duke i dhënë një arsye kuqezinjve në tribuna për të festuar. Gjithsesi problemet në mbrotjen tonë u bënë të dukshme në të 57-ën kur Arnautoviç shfrytëzoi një tjetër hapje, duke lënë në qendër për Jonuzoviçin që nuk devijoi dot për në rrjetë. Me fat ishte dhe Austria pak sekonda më pas kur Cana i vetëm përballë Almer nuk zgjodhi kohën e duhur për të goditur nga dy hapa. Në të 69-ën, Roshi mori sërish mirë krahun, por askush nuk mundi të devijojë në qendër.
Shqipëria vazhdoi të hapej mirë nga krahët, por pa arritur dot te goditja. Në të 78-ën, kuqezinjtë mbetën me 10 vetë pas daljes me të kuq të Kaces. De Biasi megjithatë nuk hoqi dorë nga sulmi, duke nxjerrë Lenjanin për Sadikun, me Shqipërinë që kaloi në rreshtimin 4-3-2. Në të 85-ën, Shqipëria rrezikoi të pësonte në kundërsulm, por këtë herë kuqeznjtë treguan se i kishin mësuar gabimet e pjesës së parë dhe mbyllën mirë zonën. Ndërsa në të 93-ën ishte Berisha që shpëtoi golin e 3-të. U mbyll 2-1 për Austrinë, një test miqësor mëse i vlefshëm për kuqezinjtë, që ditën të mësojnë brenda një ndeshje të vetme nga gabimet e saj, duke i dhënë dhe De Biasit disa tregues mbi të cilët duhet të punojë.