Shkresa zyrtare, Ahmetaj bllokon të gjitha investimet

Kur nuk kanë mbushur ende tre muaj nga hyrja në fuqi e buxhetit të vitit 2016, qeveria ka nxjerrë një vendim përmes të cilit ngurtëson dhjetëra projekte investimesh në të gjithë sektorët e ekonomisë. Syri.net ka mësuar se Ministria e Financave u ka drejtuar të gjitha ministrive të linjës një shkresë zyrtare, përmes të cilës i vë në dijeni në dijeni për pezullimin e projekteve.Në shkresën, e cila është lexuar nga Syri.net Ministria e Financave e justifikon vendimin e pezullimit të investimeve si një hap i diktuar nga marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në buxhetin e vitit 2016 qeveria ka programuar rreth 60 miliardë lekë për investimet publike. Por gati 9 për qind e kësaj shume ose 5 miliardë lekë janë të kushtëzuara me ecurinë e të ardhurave nga dividenti. Sipas kushtit të rënë dakord me FMN këto 5 miliardë lekë do të kryheshin vetëm nëse administrate fiskale do të mblidhte 5 miliardë lekë nga tatimi i dividentit, çka ishte praktikisht e pamundur.
Kaos me investimet
Në Ministrinë e Transportit janë pezulluar 7 projekte. Ekspertët e kësaj ministrie janë shprehur të habitur kur janë njohur me urdhërin e ministrisë së Financave. Sipas tyre kjo është hera e parë, që qeveria pezullon realizimin e investimeve publike në këtë mënyrë. “Fondi për projektet e cituara në listë është zeruar, çka do të thotë se këto projekte praktikisht janë anulluar,” tha një ekspert i ministrisë së Transporteve, i cili nuk deshi të identifikohej. Në shumë Ministri urdhëri ka krijuar pakënaqësi, pasi procesi i përzgjedhjes së projekteve të anulluar është kryer nga ministria e financave dhe ka qenë jo transparent
Investimet në minimumin historik
Në buxhetin e këtij viti qeveria ka programuar rreth 60 miliardë lekë për investimet publike ose 3.9 për qind e Prodhimit Kombëtar. Ky është niveli më i ulët i investimeve publike që nga viti 1997, ku shteti praktikisht kishte pushuar së ekzistuari.Por pavarësisht kësaj qeveria është duke e ulur më tej atë. Pezullimi i projekteve me vlerë 5 miliardë lekë e zbret shifrën e investimeve në 3.6 për qind të Prodhimit Kombëtar, çka do të frenojë edhe më shumë ekonominë. Pas vitit 1997 investimet publike kanë qenë gjithmonë mbi 5 për qind të Prodhimit Kombëtar. Por nga viti 2012 ato janë ulur në mënyrë të vazhdueshme për të cekur një nga nivelet më të ulëta historike gjatë këtij viti.