Pushtohet parku, policia dhunë shtazarake ndaj protestuesve, tërhiqet zvarrë aktivistja

Qytetarët e Tiranës, shoqëria civile, të mbështetur edhe nga përfaqësues të Partisë Demokratike kanë pushtuar dje kantierin e ndërtimit ku Veliaj po betonizon Parkun e Liqenit, ndërsa i kanë bërë rezistencë dhunës shtazarake të policisë. Rreth orës 17:00 të pasdites së djeshme, ashtu siç ishte paralajmëruar, protestuesit fillimisht rrëzuan kangjellat rrethuese ku Bashkia prej disa ditësh ka shtruar betonin, duke çarë rrethimin e kantierit të ndërtimit e më pas e kanë pushtuar atë. Protestuesit u përleshën gjatë me policinë, ndërsa sfiduan dhunën dhe terrorin e ushtruar ndaj tyre duke arritur që të thyenin gardhin rrethues.
Në këtë moment protestuesit kanë ngritur çadrat e tyre në park me qëllim moslejimin e vijimit të betonizimit të parkut. Një grup i protestuesve i ka tërhequr policët në një pjesë të rrethimit, ndërkohë që një grup tjetër, pa u vënë re, ka rrëzuar rrethimin e kantierit në një pjesë tjetër të perimetrit. Pasi kanë hyrë brenda, protestuesit kanë tentuar të ngrejnë çadrat. Gjatë gjithë kësaj kohe, protestuesit u përleshën me forcat e Policisë Bashkiake, e cila ushtroi ndaj tyre dhunë për t’i larguar. Në këtë situatë të tensionuar, në vendin e ngjarjes në ndihmë të Policisë Bashkiake kanë ardhur edhe forcat Shqiponja dhe forcat speciale, ku policia nisi të forconte dhunën ndaj protestuesve, duke i nxjerrë ata forcërisht nga kantieri.
Sapo ka rënë nata, policia ka ndërhyrë me forcë tek vendqëndrimi i aktivistëve të shoqërisë civile brenda Parkut të Liqenit, të cilët kundërshtojnë punimet e Bashkisë së Tiranë. Disa prej protestuesve u tërhoqën zvarrë nga Policia Bashkiake. Njëra prej aktivisteve u dërgua në spital për të marrë mjekim. Në rrjetet sociale nisën të qarkullonin dy video ku dukeshin momentet gjatë konfrontimit fizik mes protestuesve dhe policisë mbrëmjen e djeshme. Shumica e portaleve dhe televizioneve nuk i kanë transmetuar pamjet e dhunës së policisë ndaj protestuesve.
Policia Bashkiake e Tiranës ka dhunuar dhe ka tërhequr zvarrë aktivistët e shoqërisë civile, të cilët prej disa orësh kanë hyrë brenda rrethimit ku po kryhen punimet në Parkun e Liqenit. Janë vetë aktivistët e shoqërisë civile që kanë denoncuar këtë rast, të cilët thonë se policët e Bashkisë së Tiranës kanë marrë zvarrë shoqen e tyre Rezarta Çaushaj. Kjo e fundit është dërguar në spital në gjendje të rëndë. Policia sumoi pa paralajmërim vendqëndrimin e protestuesve. Edhe më herët pati përleshje me policinë, pasi protestuesit shkulën rrethimin ku po kryhen punimet brenda Parkut të Liqenit të Tiranës.
E megjithatë, protestuesit kanë paralajmëruar se protestat nuk do të ndalen dhe se do të jenë edhe masive deri në ndaljen e masakrës që Rama-Veliaj po bëjnë ndaj Parkut të Liqenit. “Nuk do të largohemi që këtej. Nuk na tremb dhuna dhe as forcat e terrorit që po sjellin ndaj nesh. Protestat do të vijojnë derisa betonizimi Rama-Veliaj të marrë fund. Ne nuk ndalemi”, u shprehën protestuesit. E ndërsa kjo situatë e tensionuar kishte pushtuar parkun, asnjë nga mediat informative nuk transmetoi asgjë.