Nishani: Kapja politike po minon Reformën në Drejtësi

– Zoti President, keni bërë një vizitë zyrtare në Strasburg ku keni takuar shumë personalitete dhe autoritete të Bashkimit Evropian. Cilat kanë qenë çështjet kryesore që keni diskutuar? Cilët kanë qenë shqetësimet e tyre që ju kanë paraqitur?
Vizita në Strasburg pranë Këshillit të Evropës ishte e një rëndësie të veçantë, pasi Këshilli i Evropës është një nga organizatat më të rëndësishme jo vetëm të familjes evropiane, por edhe të vendeve të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, por që janë të angazhuara në Konventën Evropiane. Janë të angazhuara në parimet kryesore që vetë Këshilli i Evropës si organizatë i mbron dhe i promovon, të cilat janë demokracia, shteti ligjor dhe të drejtat e njeriut. Të tria këto kolona, të cilat janë kolonat e Këshillit të Evropës dhe të vetë frymës evropiane në tërësi përbëjnë sfida të rëndësishme edhe për shtetin shqiptar, qoftë në aspektin e demokracisë shqiptare, qoftë në aspektin e ndërtimit dhe të funksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri, ashtu edhe në respektimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Takimi i rëndësishëm ishte ai me sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, me të cilin së pari ndamë vlerësime të përbashkëta për bashkëpunimin e derimëtanishëm mes Shqipërisë dhe Këshillit të Evropës në të gjitha fushat dhe aspektet që unë përmenda; angazhimet që ka marrë Shqipëria që pas anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës; angazhimet që ka marrë Shqipëria duke u përfshirë në konventat e ndryshme evropiane që përfaqësojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, të shtetit ligjor dhe të demokracisë si shtyllat kryesore të veprimtarisë së Këshillit të Evropës. Takimi shumë i veçantë ishte me Presidentin e Kongresit të Autoriteteve Lokale, i cili ndau njëkohësisht me mua jo vetëm angazhimet, por edhe disa shqetësime dhe një vëmendje të veçantë që Kongresi i Autoriteteve Lokale po i kushton reformës së decentralizimit dhe reformës së pushtetit vendor dhe administratës vendore në Shqipëri. Tashmë jemi njohur me disa shqetësime konkrete pas ndërtimit dhe bërjes së një harte të re të ndarjes territoriale administrative në Shqipëri, e cila për fatin e keq nuk është pasuar me akte ligjore dhe me hapa të tjera që do të fillonin procesin e demokratizimit, decentralizimit dhe dhënies së kompetencave reale pushtetit vendor me qëllim ofrimin e shërbimeve më cilësore, më të afta dhe të drejtpërdrejta të administratës vendore për qytetarët. Autoritetet e Kongresit u angazhuan për të vijuar bashkëpunimin dhe monitorimin e Shqipërisë në këtë proces në bashkëpunim kuptohet në radhë të parë, me përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe pastaj me të gjitha institucionet dhe instrumentet e tjera të shtetit në Shqipëri.
Takimi me Presidentin e ri të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut kishte një veçori dhe një dimension shumë të rëndësishëm përsa u takon proceseve të shumta që gjykata evropiane po shqyrton në zgjidhje të konflikteve midis qytetarëve shqiptarë dhe shtetit shqiptar dhe agjencive dhe institucioneve të ndryshme të shtetit shqiptar. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është mekanizmi kryesor i garancisë së ruajtjes së dimensionit të të drejtave dhe lirive themelore, ndaj unë vlerësova, përshëndeta dhe falënderova edhe në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe shoqërisë shqiptare, të popullit shqiptar, punën e jashtëzakonshme që ka bërë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në këto vite duke garantuar liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë, të cilat kanë rezultuar të shkelura në një formë apo në një formë tjetër nga institucione apo instrumente dhe mekanizma të shtetit shqiptar. Ashtu siç garantova që qytetarët shqiptarë, unë personalisht për institucionin që përfaqësoj, do të vazhdojmë të mbetemi një vokal i lartë përsa i takon rëndësisë që ka mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Shqipëri.

– Besoj një çështje e rëndësishme pikërisht për Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut është edhe ajo e pronave. Keni diskutuar për këto?
Çështja e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës së sekuestruar nga regjimi i kaluar komunist në Shqipëri është një çështje shumëdimensionale jo vetëm në Shqipëri, por është në radhë të parë në shpirtin, standardin dhe frymën evropiane. Padyshim që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut një nga çështjet më të shpeshta që ka shqyrtuar ka qenë pikërisht mbrojtja e të drejtave dhe lirive të individit në Shqipëri në raport me pronën. Ndava me të shqetësime shumë serioze pasi jo vetëm që nga pikëpamja administrative gjatë këtyre tri viteve të fundit, agjencia përkatëse ka bllokuar tërësisht procesin e njohjes dhe kthimit të pronës te pronari i ligjshëm duke refuzuar zbatimin e Kushtetutës, duke refuzuar zbatimin e ligjeve çka përbën një abuzim të pastër dhe të rëndë me detyrën.
Por ajo që është më shqetësuese ka të bëjë me faktin e ligjit të ri, të miratuar nga qeveria shqiptare, i cili është një ligj ku për herë të parë, zyrtarisht dhe publikisht, përfaqësohet dhe shprehet një qëndrim antievropian të një qeverie në Shqipëri. Pse e them “një qëndrim antievropian”? Për këdo ka qenë e pabesueshme që sot ne të prodhojmë e të kemi një ligj, i cili parashikon dhe kërkon që një trupë dhe një agjenci administrative qeveritare të rishikojë dhe të ndryshojë vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Besoj se çdo njeri normal që do të marrë në konsideratë këtë lloj realiteti jo vetëm që do të tronditet, por do ta ketë të vështirë që të reagojë pa e konsideruar këtë si një qëndrim antievropianist. Praktikisht duke vendosur që një agjenci administrative rishikon dhe ndryshon vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut do të thotë që Shqipëria, qeveria shqiptare praktikisht ka abroguar dhe nuk njeh më Konventën Evropiane.
Për më tepër që çështja e njohjes dhe kthimit të së drejtës së pronës te pronari është një nga pesë përparësitë kyçe të procesit të integrimit të Shqipërisë. Është një nga pesë detyrat, një nga pesë detyrimet që Bashkimi Evropian i ka vënë Shqipërisë për të plotësuar në procesin e integrimit evropian për hapjen e negociatave. Refuzimi që bëhet përmes ligjit aktual për të njohur dhe për të kthyer të drejtën e pronës te pronari automatikisht ka refuzuar zbatimin e njërës prej këtyre pesë përparësive dhe pesë kërkesave kryesore që Bashkimi Evropian i ka adresuar Shqipërisë si kushte për hapjen e negociatave dhe vazhdimin e procesit të integrimit të Shqipërisë. Që do të thotë aktualisht me këtë ligj është një shprehje e refuzimit të ecurisë së mëtejshme të Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian. Kjo për mua është shumë e rëndë. Ky është një shqetësim shumë i madh, sepse është një vullnet dhe një shprehje politike e një qeverie të caktuar. Natyrisht kjo bëhet përmes një akti ligjor, por në fund të fundit janë aktet ligjore ato, të cilat përcjellin frymën politike, përcjellin qëndrimin politik. Është padyshim një çështje, e cila kërkon një reflektim shumë të thellë, shumë të rëndësishëm nga të gjithë aktorët e shoqërisë. Presidenti i Republikës do të vazhdojë të mbrojë frymën evropianiste të Shqipërisë. Presidenti i Republikës do të vazhdojë të këmbëngulë dhe t’u bëjë thirrje qytetarëve të Shqipërisë se vetëm rruga e integrimit evropian është rruga dhe alternativa e vetme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Për shqiptarët dhe Shqipërinë nuk ka alternativë tjetër përveçse procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Kushdo që do të mendojë ta pengojë Shqipërinë, të ndryshojë rrugëtimin e saj evropian, jam i bindur se do të dështojë në radhë të parë për shkak të vullnetit dhe orientimit perëndimor dhe evropian të popullit në tërësi.

– Zoti President, ju e keni dërguar ligjin e pronave pikërisht në Gjykatën Kushtetuese dhe pritet që kjo gjykatë të marrë një vendim, por ndërkohë qeveria me anë të ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani thotë që ligji është vënë në zbatim dhe Gjykata Kushtetuese nuk duhet ta pezullojë këtë ligj. Ju e keni konsideruar këtë si presion ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Nuk ka asnjë diskutim dhe argument që e hedh poshtë faktin se ky është një presion i hapur jo vetëm politik, por në këtë rast është një presion publik përderisa kurajoja e presionit ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila deri më tash ishte konsideruar si një gjykatë që kishte ruajtur një standard pavarësie dhe integriteti, e cila aktualisht po refuzon të marrë një vendim për pezullimin e këtij ligji që përcjell përveç të tjerash, edhe frymën antievropiane të atyre që e kanë prodhuar dhe paraqitur këtë ligj, tregon që kapja politike e gjykatës po kthehet në një shqetësim serioz dhe mbërritja deri te kapja politike e Gjykatës Kushtetuese komprometon shumë rëndë procesin e Reformës në Drejtësi. E minon realisht procesin e Reformës në Drejtësi. E bën tërësisht të pabesueshëm çdo angazhim dhe çdo deklamim për të reformuar sistemin e drejtësisë. Pra, ndodhemi në një situatë shumë serioze. Ndodhemi në një situatë shumë shqetësuese në mënyrë të tillë që kjo kërkon një qëndrim të drejtpërdrejtë të aktorëve shqiptarë, por natyrisht të gjithë aktorët e përgjegjshëm të shoqërisë shqiptare duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht me instrumentet ndërkombëtare dhe evropiane veçanërisht, të cilët janë garantët e demokracisë, janë garantët e standardeve të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut që janë garantët e rrugës evropianiste të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

– Megjithatë duket se ditët e fundit palët politike, mazhoranca dhe opozita për Reformën në Drejtësi, duket sikur u ndanë përsëri. Prapë nuk po gjejnë konsensusin për Reformën në Drejtësi. Ditët e fundit, atëherë kur u duk se pikërisht këto po shkonin drejt miratimit të reformës, nuk po ndodh kështu. Ka çështje ku ndahen me njëra-tjetrën. Ju keni cytur shpeshherë që konsensusi, bashkëpunimi duhet të mbizotërojë mbi ndarjet politike le të themi?
Politikisht dhe publikisht është shprehur nga të gjithë aktorët politikë në Shqipëri domosdoshmëria, nevoja dhe gatishmëria për t’u përfshirë në procesin e reformës së sistemit të drejtësisë, i cili ka nevojë të reformohet, por reforma nis te depolitizimi. Reforma nis te largimi i ndikimit tërësisht politik të grupit politik, të klasës politike mbi sistemin e drejtësisë. Rekomandimet që erdhën nga Komisioni i Venecias ishin padyshim një pikë shumë e mirë orientuese, e cila duhet të vazhdojë të mbetet si pikë orientimi për Parlamentin shqiptar, për partitë politike në Parlamentin shqiptar për të qasur parimet e eficencës, të pavarësisë dhe të përgjegjësisë dhe të përgjegjshmërisë të sistemit të drejtësisë në raport me qytetarin dhe në raport me ligjin. Por kur shohim që kapja politike shkon deri te Gjykata Kushtetuese, atëherë kjo e minon besimin që mund të ketë një proces kaq i rëndësishëm dhe kaq jetik. E komprometon rëndë jo vetëm qëllimin, por edhe vetë përfshirjen e aktorëve të veçantë e të caktuar në atë që ne kërkojmë si reformë në sistemin e drejtësisë.

– Ju thoni që duhet depolitizimi i sistemit, por një faktor që do të mundësonte depolitizimin është Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila do të hetonte korrupsionin në nivele të larta, por gjithashtu edhe do të ndikonte pikërisht tek depolitizimi. A jeni edhe ju dakord që ky organizëm duhet të jetë i pavarur?
Padyshim që në radhë të parë duhet menduar që mekanizma të tillë realisht të jenë të pavarur. Byroja Kombëtare e Hetimit është një mekanizëm dhe një gjetje e një propozimi pozitiv në gjykimin tim që qoftë grupimet dhe partitë politike, qoftë edhe partnerët tanë e kanë rekomanduar dhe e kanë fokusuar si një zgjidhje, e cila do të japë. Dhe unë besoj se një instrument i tillë profesional, tërësisht i pavarur dhe jashtë influencave dhe ndikimeve politike do të japë vërtet rezultate pozitive në luftën kundër krimit të organizuar, që është bërë shqetësues, shumë serioz gjatë kohëve të fundit në Shqipëri, por edhe korrupsionit në nivelet më të larta, të administrimit të pasurive vlerësuese, ekonomike dhe financiare të vendit. Natyrisht që ndërtimi i një mekanizmi të tillë duhet të garantojë në radhë të parë profesionalizmin. Duhet të garantojë së dyti paanshmërinë dhe duhet të garantojë patjetër edhe integritetin e atyre anëtarëve, të cilët do të jenë pjesë e funksionimit të këtij mekanizmi. Unë besoj se janë të gjitha mundësitë për të ndërtuar një mekanizëm të tillë. Tashmë padyshim që i mbetet një lloj përgjegjshmërie dhe përgjegjësie në angazhim vendimmarrjes së Parlamentit shqiptar, të grupeve parlamentare, të cilët në frymën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias duhet të gjejnë edhe zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje. Dhe unë besoj se do të kenë mbështetjen e plotë të Presidentit të Republikës në këtë rrugëtim.