Skandal, ministri presion Kushtetueses për pronat, Presidenti: E paprecedentë

Përmes një akti të paprecedent, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani bëri publikisht presion dje ndaj Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ligjin e pronave. Ky ligj i miratuar së fundmi nga qeveria synon grabitjen e pronave të pronarëve të vërtetë, ndërsa është kundërshtuar nga Presidenti i Republikës, si dhe opozita. Edhe Presidenti, edhe opozita kanë ankimuar këtë ligj arbitrar në Gjykatën Kushtetuese. E kur pritet që gjykata të shqyrtojë ankimimet e të japë opinionin e saj, ministri i Drejtësisë dje i bëri thirrje asaj që të rrëzojë ankimimet e bëra ndaj ligjit.
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani nën pretekstin e “pasojave katastrofike” ka “këshilluar” dje Gjykatën Kushtetuese për vendimin që (s’)duhet të marrë për Ligjin e Pronave. Duke paragjykuar, Manjani është shprehur kundër çdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese që do të çonte në pezullimin e Ligjit të Pronave. Sipas tij, një vendim i tillë do të kishte pasoja katastrofike për pronarët, por edhe për shoqërinë shqiptare.
“Pezullimi i ligjit të pronave do të kishte pasoja katastrofike jo vetëm për pronarët, por edhe për shoqërinë shqiptare”, u shpreh Manjani, duke e cilësuar pezullimin e ligjit si të palegjitimuar nga ana kushtetuese. “Nuk ka asnjë rresht që të legjitimojë pezullimin e akteve nga Gjykata Kushtetuese. Kjo është Kushtetuta e Shqipërisë nga A-ja te Zh-ja”, ka vijuar më tej Manjani, “duke i dhënë mend” Kushtetueses. Sipas tij, pezullimi do të digjte 25 milionë dollarë fond për kompensimin e pronarëve, si dhe do të bllokoheshin 20 mijë hektarë tokë bujqësore.
“Gjykimi kushtetues për këtë ligj është një gjë e shtuar, sikurse është kompleks dhe i vështirë e sigurisht që do të kërkojë kohën e vet. Masa e përkohshme e pezullimit të ligjit do të ishte një çështje e pajustifikuar. Sepse pengimi për ta zbatuar këtë ligj do të thotë djegie e 25 milionë dollarëve, bllokohen 20 mijë hektarë tokë për kompensim fizik, bllokohen 11 mijë dosje dhe 26 mijë vendime.
Nëse interesi është bllokimi i kompensimit dhe pronës për pronarët, është e pakuptueshme. S’është as në interesin e pronarëve, as të shtetit shqiptar. Është një çështje e shoqërisë shqiptare, është një çështje e pronarëve”, u shpreh Manjani. Ai theksoi se ligji do të vijojë nga zbatimi, pavarësisht shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese. “Le të fillojmë zbatimin dhe paralelisht të shqyrtohet edhe kushtetutshmërisht”, ka sfiduar më tej Gjykatën Kushtetuese, ministri i Drejtësisë. Gjykata Kushtetuese pritet të marrë në shqyrtim 3 kërkesat ankimuese të ligjit, atë të Presidentit Nishani, Partisë Demokratike dhe asaj Republikane.
Në fakt, ligji është kundërtuar fuqimisht nga vetë pronarët, të cilët kanë refuzuar zbatimin dhe njohjen e tij ndërsa kanë paralajmëruar protesta.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Presidentit Nishani, i cili në një njoftim për mediat shprehu shqetësimin për presionin e Manjanit ndaj Gjykatës Kushtetuese, ndërsa paralajmëroi se ligji aktual i pronave i miratuar nga qeveria do të nxisë edhe më tej penalizimet ndaj shtetit shqiptar nga Gjykata e Strasburgut. “Presidenti i Republikës shpreh shqetësimin e thellë për presionin publik adresuar pasdite nga ana e qeverisë shqiptare ndaj Gjykatës Kushtetuese të Republikës në lidhje me shqyrtimin e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Presioni politik i një qeverie ndaj Gjykatës Kushtetuese të vendit është një akt i paprecedent në historinë e pluralizmit shqiptar. Presidenti i Republikës si palë ankimuese, i kërkon Gjykatës Kushtetuese të mbrojë Kushtetutën e vendit dhe standardet e shtetit të së drejtës. Ligji aktual dëmton rëndë të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë, do ta thellojë konfliktin midis individit dhe shtetit e për rrjedhojë do të vijojnë penalizimet nga ana e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.