Mesatarja e pikëve, Juventus si Barça

Juventus rekordesh në vitin 2016. Pas problemeve të fillimit të sezonit, bardhezinjtë e morën veten në mënyrë të jashtëzakonshme, duke i kaluar edhe pritshmëritë. Zonja e Vjetër u kthye në krye të Serisë A sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Paraqitjet në pjesën e parë të vitit 2016 janë të pabesueshme. Në Europë, vetëm Barcelona ka mesatare të njëjtë pikësh si Juventusi. Skuadra e Luis Enrique po marshon drejt titullit në Spanjë me një mesatare prej 2,83 pikësh në ndeshje, ndërsa të besuarit e Alegrit janë në kuotën e 2,82 pikëve. Praktikisht e njëjta ecuri, edhe kur analizohet raporti i ndeshjeve të luajtura dhe fitoreve të regjistruara. Katalanët kanë fituar 11 nga 12 ndeshjet e zhvilluara në La Liga, të cilave u shtohet një barazim. Në total, Barça ka grumbulluar 34 pikë.

Juventusi në anën tjetër ka fituar 10 nga 11 ndeshjet e luajtura, duke barazuar vetëm me Bologna-n, për një total prej 31 pikësh. Blaugranat dhe bardhezinjtë pozicionohen në majën e Europës në mënyra krejt të ndryshme. Ecuria e Barcelonës lidhet me forcën e jashtëzakonshme në fazën sulmuese, me 38 gola të realizuar prej fillimit të vitit, përballë 22 të Juventusit. Nga ana e tyre italianët kanë një mbrojtje hermetike, me vetëm një gol të pësuar, përballë 7 të spanjollëve. Në vendin e tretë të renditjes speciale, pozicionohet Borussia Dortmund që mesatarisht ka grumbulluar 2,50 pikë për ndeshje, ndërsa në vendin e katërt ndodhet Napoli me 2,36 pikë.