Leicester pret titullin

Mbijetoi edhe në fundjavë me golin e vetëm të ndeshjes të shënuar nga Mahrez, por pak rëndësi ka nëse fiton 1-0 apo 5-1, Leicester City është surpriza më e madhe e futbollit europian këtë sezon. Skuadra “low cost” që nisi të luftojë për mbijetesë, nga java në javë është kthyer në favoriten numër 1 për titullin, sidomos pas ekuacionit të fundjavës që solli barazim në derbin e Londrës. Pesë pikë është diferenca me ndjekësin më të afërt që “dhelprat” kanë në renditjen e Premier Leagues, ndërsa 9 janë ndeshjet e mbetura për të ruajtur këtë hendek. Tottenham, Arsenal dhe Manchester City mendojnë se, Leicester do të përkulet nga presioni si dhe mungesa e eksperiencës, por tani edhe kompanitë e basteve besojnë fort të skuadra e Ranierit.

Më 14 mars në stadiumin “King Power” vjen Newcastle, një ekip në krizë identiteti që vështirë se do të forcojë rezistencën. Më pas janë përballjet jo shumë të forta si Crystal Palace, Southempton, Sunderland, West Ham dhe Swansea. Deri në fundin e këtyre sfidave, Leicester shpreson që të ketë një avantazh më komod. Tre finalet e ekipit surprizë në Premier League janë ndaj Manchester United, Everton dhe më pas më 15 maj ndaj Chelseat, ditë kur do të vendoset edhe titulli. Por, tashmë edhe statistikat po i japin të drejtë Leicester Cityt që në fazën e dytë ka marrë 23 pikë nga 27 të mundshme dhe kampionati tani nuk është më një utopi.