200 metra nga zyra e Ramës maskat me armë grabisin 180 milionë lekë

Dy persona të armatosur dhe me maska i grabitën një kambisti 180 milionë lekë në zemër të Tiranës dhe në mes të ditës. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 16:00 në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa” pranë hotel “Sheraton”. Burimet bënë të ditur se, një person i maskuar ka zbritur nga motori dhe nën kërcënimin e armës i ka marrë çantën me 180 milionë lekë kambistit me inicialet S.H., që kishte tërhequr paratë në një bankë të nivelit të dytë që ndodhet në ambientet e hotel “Sheraton”.
Kambisti ka qenë i shoqëruar nga një person tjetër në momentin që po dilte nga banka. Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se dy persona me motor dhe të maskuar kanë mbërritur pranë hotel “Sheraton” njëri prej tyre ka zbritur dhe ka kryer grabitjen, ndërsa tjetri qëndroi në motor për t’u larguar me shpejtësi. Me sa duket, grabitësi ka pasur informacione të sakta rreth tërheqjes së sasisë së parave. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, njëri nga maskat ka dalë përpara lulishtes së këtij hoteli, pasi kambisti po shkonte në pikën e këmbimit valutor dhe u ka rrëmbyer çantën me para nga dora.
Më pas, grabitësi me çantën me para në dorë ka hipur në motorin që po e priste para hotelit dhe janë larguar me shpejtësi drejt rrugës së “Elbasanit”. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, por pa mundur të kapin autorët e grabitjes.

Motori me maskat kishte lëvizur disa herë para hotelit

Dëshmitarët në vendngjarje bënë të ditur se, ngjarja i ngjante një skene filmi. Gazetari Artan Hoxha, dëshmitar në vendin e ngjarjes rrëfen se si kishte ndodhur grabitja. “Dy persona një në moshë më të re, dhe një tjetër kanë kaluar te lulishtja para hotelit, dhe në dorë kishin çantën me para. Ata i priste para hotelit një mjet me të cilin ata do të lëviznin. Një djalë i maskuar dhe me pistoletë në dorë drejtohet tek ata dhe bërtet, “dorëzoni paratë”. U erdhi nga para me vrap. Ka marrë paratë dhe me vrap ka dalë në rrugën përpara hotelit, e priste një motor, dhe pasi hipi u largua. Motori me dy djemtë kishte lëvizur disa herë para hotelit, duke monitoruar situatën. Pra, grabitësit kanë pasur informacion se do të bëhej një transfertë parash, në sasi të konsiderueshme. Kanë ditur edhe orarin kur do ndodhte kjo. Mënyra sesi është bërë grabitja është pak e çuditshme. Personi që priste me motor nuk kishte maskë. Besoj se, kamerat e sigurisë aty rrotull duhet ta kenë fiksuar pamjen dhe lëvizjen e të rinjve me motor”, rrëfeu Artan Hoxha.
Policia e Tiranës ka tentuar të japë detaje për ngjarjen e grabitjes së 180 milionë lekëve një kambisti. Por në këtë tentativë, policia ka dhënë si “detaj” vetëm inicialet e kambistit viktimë, ndërsa ka konfirmuar lajmet mediatike se grabitja ka ndodhur. “Më datë 26. 04. 2016, rreth orës 16:10, në rrugën “Dervish Hima”, te ambientet e jashtme të një subjekti privat, ka ndodhur një vjedhje me dhunë. Shtetasit S. H., i është marrë një shumë monetare e konsiderueshme, nën ushtrimin e dhunës. Shumë të cilën sapo e kishte tërhequr nga një filial i një banke të nivelit të dytë. Në vendin e ngjarjes grupi hetimor po punon për zbardhjen e mekanizmit dhe identifikimin e autorëve”, thuhet në njoftimin e Policisë vendore të Tiranës.

Maskat grabisin 600 mijë lekë në një pikë karburanti

Një tjetër grabitje nga maskat ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Bulqizë. Bëhet e ditur se një pikë karburanti është bërë pre e grabitjes në orët e para të mëngjesit në qytetin e Bulqizës. Dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë dhunuar punonjësin e pikës së karburantit dhe e kanë detyruar që të dorëzojë të gjithë xhiron ditore. Sipas burimeve, maskat kanë arritur të marrin 600 mijë lekë dhe janë larguar në drejtim të paditur. Lajmi u konfirmua edhe nga Policia e Dibrës.  Policia e Qarkut të Dibrës informoi se, “rreth orës 01:00, të mëngjesit në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Bulqizë ka ardhur një telefonatë nga roja i karburantit në qytetin e Ri Bulqizë. Shtetasi H. H ka informuar se një person i panjohur nga ana e tij i ka marrë me dhunë 60.000 lekë të xhiros dhe është larguar në këmbë”.
Bulqiza është kthyer në një skenë krimesh prej disa ditësh. Një ditë më parë u hodh në erë me tritol një makinë në Bulqizë. Biznesmeni i kromit Rexhep Losha, automjeti i të cilit u bë objekt i një sulmi me lëndë plasëse një ditë më parë nuk e ka ndihmuar shumë Policinë e Bulqizës në zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje. Ai ka shtuar vetëm se ka dyshime që sulmet të kenë ardhur për shkak të konkurencës, teksa shton se veç aktivitetit në minierë ka edhe tre lokale që i ka dhënë me qira.
Losha përpara uniformave të policisë ka pohuar se nuk ka konflikt me ndonjë person dhe se ka dyshime të forta që janë rivalët në biznes që për arsye konkurrence i kanë vendosur tritol në mjet. Ka qenë ora 05:00 e mëngjesit të së hënës, kur automjeti i biznesmenit, Rexhep Losha, u bë objekt i një sulmi me lëndë plasëse. Nga shpërthimi u shënuan dëmë të konsiderueshme materiale. Policia e Bulqizës vijon punën për zbardhjen e rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje. Rexhep Losha mësohet se ka marrë përsipër një proces pune në galeritë D të minierës së Bulqizës.

R.POLISI

Exit mobile version