17-vjeçarja gjendet e vdekur në tualetin e shkollës në Fier

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 14:40 në qytetin e Fierit. Një nxënëse u gjet e pajetë në tualetin e një shkolle. 17-vjeçarja nga fshati Sheqishtë ishte nxënëse në degën “Dizajn” në shkollën profesionale italiane “Murialdo” në qytetin e Fierit. Përpara se të shkonte në orën e praktikës, të cilën e zhvillon jashtë shkollës, vajza shkoi më parë në tualet. Atje i kishte rënë të fikët, ndërsa koka i kishte ngecur midis dy kaldajave dhe derës.
Dy vajza të tjera të shkollës kishin vajtur në tualet dhe mbetën të shokuara teksa panë përtokë adoleshenten, e cila ishte nxirë në fytyrë. Ndonëse u përpoqën ta ndihmonin, vajzat nuk po i hiqnin dot kokën nga vendi ku kishte ngecur.
Menjëherë lajmëruan policinë dhe autoambulancën. Teksa po transportohej për në spital, vajza ishte ende në jetë, por nuk mundi më tej t’i mbijetonte goditjeve në trurin e vogël. Raportohet gjithashtu se, adoleshentja kishte edhe thyerje të qafës. Ekspertiza mjeko-ligjore do të zbardhë më shumë rreth shkaqeve të vdekjes.
Ndërkohë, Policia e Fierit ka marrë në pyetje familjarë të 17-vjeçares për të zbuluar nëse vajza ka pasur probleme shëndetësore apo problem të tjera, të cilat mund ta kenë çuar në vetëvrasje. Para 3 ditësh, prindërit e 17-vjeçares e kanë çuar vajzën në spital, pasi ishte ndjerë keq. Mjekët e Spitalit të Fierit i kishin dhënë mjekim për grip.

Exit mobile version