15 vjet nga vdekja tragjike e Shotë Haklajt nga shpërthimi i tritolit

U mbushën 15 vjet nga vdekja tragjike e Shotë Haklajt nga hedhja në erë me eksploziv e banesës së ish-deputetit të PD, Azgan Haklaj në Tropojë. Ngjarja e rëndë ndodhi mesnatën e 31 tetorit 2001, ku një shpërthim i fuqishëm eksplozivi shkatërroi banesën e ish-deputetit dhe disa banesa të tjera në një pallat pesëkatësh në lagjen “Partizani” të Bajram Currit.
Kushërira e Azganit, Shotë Haklaj është goditur në gjumë nga rënia e një paneli solete si pasojë e shpërthimit të fuqishëm. Azgani dhe familja e tij nuk ndodheshin në banesën e tyre. Ai dhe familja e tij ndodheshin në shtëpinë e prindërve ku festohej ditëlindja e djalit të Azganit.
Objektivi i shpërthimit me eksploziv të fuqishëm, i llojit C4, ishte apartamenti ku banonte ish-deputeti Azgan Haklaj. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa shembi njëri pas tjetrit të gjitha ndarjet e brendshme të pesë kateve, duke e lënë vetëm me muret e jashtme si kafaz.
Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm të eksplozivit gjeti vdekjen Shotë Haklaj në lulen e rinisë. Jeta e saj u shua papritur në mënyrë tragjike nga dora gjakatare e atij që vendosi tritolin në hyrje të banesës. Shpërthimi ka ndodhur në orën 02:25 minuta, ndërsa policia bëri të ditur atëherë se në hyrjen e banesës së Haklajt, në katin e katërt të pallatit ishte vendosur rreth 10 kg tritol. Ndonëse kanë kaluar 15 vite nga kjo ngjarje ku gjeti vdekjen Shotë Haklaj, 26-vjeçare në atë kohë, nuk është zbuluar ende autori.

Exit mobile version