11 milionë për të larguar Schweinsteiger

Pranvera me një lule nuk vjen. Bastian Schweinsteiger duket se nuk llogaritet si pjesë e Manchester United edhe pse vetëm 10 ditë më parë u riintegrua me grupin e drejtuar nga Jose Mourinho. Gjermani që u transferua me shumë bujë gati dy vite më parë në Angli, po has vështirësi të mëdha në radhët e “Djajve të kuq”, veçanërisht pas emërimit të portugezit në krye të stolit. Tre muaj stërvitje i veçuar dhe më pas grumbullimi i parë me skuadrën, por mesa duket, kampioni i botës nuk është në planet e trajnerit portugez që po bën të pamundurën për ta larguar sa më parë nga skuadra e tij. Sipas mediave gjermane, klubi ka gati një ofertë joshëse, 11 milionë euro në dorë që lojtari të prishë kontratën që skadon në vitin 2018.
Mesa duket, palët do ta gjejnë gjuhën e përbashkët dhe Mourinho e ka grumbulluar në skuadër për ta ndihmuar të rifitojë formën e duhur fizike në prag të një aventure të re në muajin janar. Një lëvizje që do t’i kushtojë jo pak klubit më të titulluar në Angli. Largimi i mundshëm i Schweinsteiger mund të peshojë shumë në arkën e klubit edhe për faktin se me zgjidhjen e kontratës, mesfushori do të largohej me parametra zero dhe Manchester United në këtë rast nuk përfiton asnjë qindarkë. 32-vjeçari u zhvendos në Manchester me kërkesë të Van Gaal dy sezone më parë, por ai nuk arriti ta gjente asnjëherë veten në futbollin ishullor edhe pse kishte treguar një formë të mirë me Bayernin e Mynihut dhe Kombëtaren e Gjermanisë në Kupën e Botës 2014.

Exit mobile version