10 mashtrimet që Rama po i përsërit

Për Sali Berishën, 10 idetë e Edi Ramës në 100 ditët e para të qeverisë së tij nuk janë veçse manipulime. Në një status në Facebook, ish-kryeministri i ka marrë me radhë propozimet që hodhi Rama për diskutim me ndjekësit e tij. Mes tyre bien në sy ato që Berisha i quan “masat e linçimit publik” si në kohën e diktaturës, paralajmërimi për dyfishimin e çmimit të energjisë, e shtuna “komuniste për pastrim” dhe lufta kundër drogës, si një dështim i mbartur nga mandati i parë.

Deklarata e Berishës në Facebook
Rama shpall 10 mashtrimet e 100 diteve të para!
Edi Rama njoftoi dje 10 vakitë e 100 ditëve të para të mandatit të tij të dytë. Ai liston 10 pika, të cilat cilido që i lexon konstaton se janë thjesht 10 mashtrimet dhe manipulimet e radhës të timonierit.
Ato janë:
1- Rama, i ndëshkuar nga 2.7 milionë votues, ka përgatitur ekipin të regjistrojë si mbështetës virtual të tij së paku 2 milionë mbështetës në letër.
2- Fillon zbatimi i politikës atërore të vijës së masave e linçimeve publike dhe kokave turku, ushqimi urrejtjes së mbështetësve të tij!
3- Fillon rritja dhe dyfishimi i çmimit të ujit të pijshëm, një vendim që u bllokua nga denoncimi dy vite më parë në Parlament.
4- Nis përsëri për të dështuar si më parë beteja e harruar kuponit! Për rikujtesë, dy vite më parë u zotua se në 8 muaj do zgjidhej problemi, por sot në dyqanet e ministrave nuk të jep njeri kupon.
5, 6- Rikthehet e shtuna komuniste për pastrim të përgjithshëm, por vendi do bëhet kosh i plehrave të importuara.
7- Siguria ushqimore bëhet çështje e masave!
8- Buxhetin do ta vjedhim, por me bekimin e mexhliseve publike.
9- Pasi ishte zotuar katër vite më parë për sigurinë rrugore
dhe sot ka ngjitur Shqipërinë në krye të Europës për aksidente.
10-E dhjeta e vërteta luftën kundër drogës, e ka gati deklaratën e një viti më parë se e kemi zhdukur në 99,8% të sipërfaqes së vendit. Pas 100 ditëve deklerata do të thotë droga u zhduk në 99,9% të vendit!!

Këtu më poshtë keni tekstin siç e ka botuar ai vetë! sb
Si i mendoni 100 ditët e para?
Do t’i isha mirënjohës secilit dhe secilës prej jush që do të jepte opinionin e vet, mbi disa ide për operacionet që po përgatiten për 100 ditët e para të qeverisë së re, si më poshtë:
1. Hapen regjistrimet e anëtarëve të koalicionit të madh “Për Shqipërinë që Duam”, në Platformën online të Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi dhe nis lufta e gjithanshme, kundër parazitëve e grabitqarëve në çdo zyrë të shtetit.
2. Nis procesi i llogaridhënies të gjithë drejtuesve të agjencive, inspektoriateve, drejtorive e zyrave të shtetit, në takime publike dhe në prani të anëtarëve të qeverisë së re e të skuadrave të deputetëve të çdo qarku.
3. Fillon lufta kundër shpërdorimit të ujit të pijshëm, prerja e lidhjeve të paligjshme, prishja e lavazheve pa leje dhe ndëshkimi i abuzuesve me këtë pasuri të çmuar kombëtare
4. Çelet faza e re e luftës kundër informalitetit në biznes me përshkallëzimin e fuqishëm të presionit ligjor, mbi çdo subjekt të madh e të vogël që nuk operon përmes kuponit tatimor.
5 -Nis pastrimi rrënjësor i akseve kombëtare nga plehrat, mallrat, tregjet, varrezat e makinave, ferrat, etj., si edhe fillon mbyllja e hyrjeve të paligjshme apo të rrezikshme në rrugën kryesore.
6. Shpallet një luftë si asnjëherë tjetër kundër ndotjes së mjedisit, hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të përcaktuara dhe organizohet e zhvillohet një aksion kombëtar pastrimi në çdo qytet, fshat e metër katror të Shqipërisë.
7. Fillon beteja e gjatë për sigurinë ushqimore në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët e angazhuar për Shqipërinë që duam, për të vënë përpara përgjegjësisë çdo strukturë shtetërore, kompani furnizimi apo subjekt tregtar, që cënon sigurinë e konsumatorit.
8. Hapet fushata e re e sigurisë rrugore për rritjen e ndërgjegjësimit të drejtuesve të automjeteve dhe uljen e mëtejshme të numrit të aksidenteve në rrugë.
9. Organizohen në çdo qark dëgjesat publike për buxhetin e vitit 2018, si edhe për riorganizimin e administratës shtetërore, shërbimeve ndaj publikut në çdo bashki dhe projektet e vitit në vijim në rang vendi e qarku.
10. Mbyllet me fitoren e pakontestueshme të Policisë së Shtetit lufta e këtij viti dhe shpallet fundi i historisë së shëmtuar të kultivimit masiv dhe të paligjshëm të kanabisit në Shqipëri.

Exit mobile version